2/10/2013

Gjon Buzuku

Biografia

Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur "Meshari" (1555). Kjo vepër cilësohet si vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar dhe ruajtur deri sot. Gjoni ishte prift katolik për nga besimi, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit. Për autorin, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigje të plotë. Ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet, e mësojmë vetëm nga parathënia e librit dhe gjuha e tekstit. "u Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzuku"[1] Gjon Buzuku ishte prift katolik për nga angazhimi religjioz, i Malësisë së Mbishkodrës, mendohet të ketë qënë nga Kraja. Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe). Kopja e librit që ka arritur është e cunguar, përbëhet nga 94 fletë (188 faqe). Kësaj kopjeje i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore. Duke qenë se Meshari është përkthim i teksteve të njohura liturgjike dhe pjesëve të Dhiatës së vjetër dhe Dhiatës së re, ai nuk është shumë i vështirë për t’u interpretuar, me gjithë ortografinë e ndërlikuar, gjuhën arkaike, gabimet e shumta të shtypit e mungesat e fjalëve. Të 188 faqet e tekstit përmbajnë 154 000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500 leksemash, dhe janë një minierë ari e vërtetë për leksikografët dhe gjuhëtarët historikë. Përmban lëndë të ndryshme kishtare dhe pjesët kryesore të liturgjisë katolike. Kjo përmbajtje flet për përdorim të gjuhës shqipe në shërbesat fetare, lidhur siç duket me përpjekjet për përdorimin krahas latinishtes edhe të gjuhëve amtare. Meshari është botuar me alfabetin latin të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë veriore.

Sterjo Spasse

Biografia

Sterjo Spasse (lindi më 1914 në Gollomboç, vdes në 1989 në Tiranë) është shkrimtar shqiptar me origjinë maqedonase.Sterjo shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan. Një kohë punoi si mësues. Më vonë vazhdoi studimet e larta për pedagogji në Firencë të Italisë dhe mandej për letërsi në Bashkimin Sovjetik. Mbas Çlirimit një kohë punoi në revistat pedagogjike dhe letrare : "shkolla e re", "Arsimi popullor", "Literatura jonë", "Nëntori", etj. Punoi edhe pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Ndërsa kohën e fundit e kaloi në Tiranë, si shkrimtar me profesion të lirë.Veprimtaria letrare e Serjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u muar me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që na vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijiet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Ai ka botuar katër përmbledhje tregimesh :"Kuror rinie" (1934), "Në krahët e një femre" (1934), "Nusja pa duvak" (1944) dhe "Të fala nga fshati" (1958) si dhe dhjetë romane : "Pse ?" (1935), "Afërdita" (1944), "Ata nuk ishin vetëm" (1952), "Afërdita përsëri në fshat" (1954), "Buzë liqenit" (1965), "Zjarre..." (1972), "Zgjimi" (1973), "Pishtarë" (1975), "Ja vdekje ja liri" (1978), dhe "Kryengritësit" (1983).

Ismail Kadare

Biografia

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960). Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenjë të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenjë të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, "Ëndërrimet", (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues.